Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë vendosi sot për masat e sigurisë, për personat e akuzuar në lidhje me çështjen e “Bankers Petroleum Albania LTD”.
Togat e zeza kanë lënë në arrest me burg, CEO-n aktual të kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtorin, Leonidha Çobo.
Katër punonjës të tjerë janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa tre në detyrim paraqitjeje me vendim të Shkallës së Parë.
Në lidhje me çështjen janë në kërkim katër persona.
Kujtojmë se seanca e djeshme u shty për sot për shkak të kompleksitetit të dosjes.
Të pranishëm në gjykatë ishin përfaqësues të kompanisë, por edhe të ambasadës kineze, por nuk morën pjesë brenda në seancë, për shkak se ajo u zhvillua me dyer të mbyllura.
Hetimet për “Bankers” nisën më 30 dhjetor të vitit 2024.
Gjatë këtyre muajve, prokuroria thotë se në bashkëpunim të ngushtë me “Tatimet” kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer disa vepra penale.
Nga hetimi rezulton se “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.
Ndërkohë shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.
Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje.
Më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.
Ndërkohë hetimet vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në dhe pastrim parash, ku sipas prokurorisë së Fierit mendohet se “janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera”.