Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia, pasi SPAK mbylli hetimet ndaj tij.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta e ka cilësuar të gjithë këtë proces si një fabrikim që kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019.
Ai bën me dije se nga ana e tij u kërkua me forcë dhe zyrtarisht që të hetohej se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së ndaj kompanive në SHBA, si dhe se kujt i janë dërguar për miratim faturat nga kompania amerikane GSIS në Partinë e Lirisë.
“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.
Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.
Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.
Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh”, shkruan Meta në rrjetet sociale./Opinion.al