Përfundon Faza e Intervistës në Procesin e Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së.
Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, sot përfundoi edhe faza e intervistës për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Intervistat nisën në orën 09:00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat.
Kjo fazë, e monitoruar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, u fokusua në vlerësimin e njohurive profesionale, aftësive drejtuese dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që lidhen me pozicionin e Drejtorit të BKH-së.
Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët t’i nënshtrohen fazës së verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016“Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.