Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se ka përndjekur ish të dashurën e tij.
Sipas uniformave blu mësohet se i riu me iniciale K. M., ishte në kërkim policor, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Gjithashtu dyshohet se 34-vjeçari ka lënë 2 fishekë arme gjahu në oborrin e banesës së familjarëve të ish të dashurës për t’i kërcënuar.
“Si rezultat i kërkimeve të bazuara te informacionet e inteligjencës policore, me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe falë bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2, Nr. 5 dhe Nr. 6, u lokalizuan dhe vunë në pranga shtetasit:
-K. M., 34 vjeç, i cili ishte në kërkim policor, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Ai dyshohet se ka përndjekur ish të dashurën e tij, në rrjete sociale. Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, ka lënë 2 fishekë arme gjahu, në oborrin e banesës së familjarëve të kësaj shtetaseje, me qëllim kanosjen.
Fishekët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

















