Si rezultat i monitorimit dhe kontrolleve nga Ksamili në Koman janë bllokuar 30 mjete lundruese, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.
Sipas policisë, 12 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë, ndërkohë 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj u shpëtuan në det, përmes ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.
‘Në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po kryen monitorime dhe kontrolle intensive në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë, si dhe në hapësirat liqenore dhe lumore, me qëllim evidentimin e shkelësve të rregullave të lundrimit, të perimetrit të sigurisë, apo të përdorimit të mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës.
Përgjatë kësaj jave janë kontrolluar 431 mjete lundruese, nga të cilat 30 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.
Mjetet e bllokuara janë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.
12 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.
Ndërkohë, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 7 raste për t’u ardhur në ndihmë 13 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese’, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit. /opinion.al