Vijon operacioni “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike në bregdet dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private në Radhimë.
Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të zënies së paligjshme të hapësirës publike, në zonën bregdetare të Radhimës.
Ndërtoi pa leje një beach bar duke zënë hapësirën publike në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari, procedohet në gjendje të lirë dhe djali i tij 17-vjeç.
‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Policisë Bashkiake, gjatë kontrolleve të ushtruara më datë 19.07.2025, në plazhin e Radhimës, konstatuan në një hapësirë publike ndërtimin pa leje të një objekti të llojit “beach bar”, si dhe ushtrimin e aktivitetit privat me çadra dhe shezlongë, pa autorizimin e institucioneve përkatëse.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku:
- u shpall në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë;
- u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, djali i tij i mitur, 17 vjeç’, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin bregdetar të Vlorës, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e hapësirave të lira për pushuesit. /opinion.al