Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, u nda nga jeta dy ditë më parë, 12 korrik, gjatë një vizite në vendin tonë, në moshën 82-vjeçare.
Pak ditë para se të ndërronte jetë, ish-ambasadori, Daum dha një intervistë për gazetarin Blendi Fezviu, në “Opinion” në Tv Klan, e cila mbetet intervista e fundit televizive e tij.
Gjatë intervistës së tij, Daum ndalet në Shqipërinë e atyre viteve, ku në detaje tregon jetën e njerëzve të thjeshtë dhe vështirësitë e kohës. Ish-ambasadori tregon se si hapi ambasadën e parë gjermane në Shqipëri.
Pjesë nga biseda:
Blendi Fevziu: Megjithatë, si ishte Shqipëria e 1987?
Werner Daum: Ishte një shtet i mrekullueshëm dhe lërmëni që të jem i sinqertë, ka qenë më bukur se sot.
Blendi Fevziu: Më e bukur për shkak të hapësirës?
Werner Daum: Më e bukur se sot sepse ishte e përmbajtur brenda… le ta themi kështu, ishte e përmbajtur brenda strukturave të saj mesjetare. Komunizmi kishte shtypur lirinë, komunizmi kishte shtypur lirinë e shprehjes, dhe komunizmi, dhe mendoj se kjo është gjëja më e keqe që bëri komunizmi, ai shtypi gjënë më intime që ka njeriu, marrëdhënien tonë, marrëdhënien e zemrës tonë me Atë që ndodhet lart.
Blendi Fevziu: Po.
Werner Daum: Kjo ishte diçka e tmerrshme. Nga ana tjetër, mungesa e zhvillimit ekonomik, mungesa e lirisë kishte ruajtur vendin siç ka qenë përpara 100 vitesh, apo siç ka qenë përpara 200 vitesh dhe kjo ishte eksperiencë unike për dikë si unë i cili vinte nga një vend modern dhe shumë të zhvilluar.
Blendi Fevziu: Megjithatë, ju prekët varfërinë e vendit në atë kohë. Ka qenë një vend shumë i varfër!
Werner Daum: Ka qenë ekstremisht e varfër. Shteti ishte i varfër dhe njerëzit ishin të varfër. Mendoj se kishte uri. Mbaj mend që kam parë ushtar të cilët për të mos konsumuar këpucët e tyre, ecnin zbathur dhe ato i mbanin mbi supe.
Blendi Fevziu: Po, ka qenë një moment jashtëzakonisht shumë i vështirë për Shqipërinë.
Ndër të tjera në intervistën e tij teksa fliste për jetën e tij në Shqipëri, Daum tregon edhe kontaktet e para në vend, si dhe njerëzit e parë që takoi sapo erdhi.
Blendi Fevziu: Kush ishte shqiptari i parë që takuat në Shqipëri? E mbani mend? Jo nga zyrtarët.
Werner Daum: Për sa i përket zyrtarëve, ato janë njerëzit nga Ministria e Jashtme, drejtori për Europën Perëndimore dhe më pas Ministri i asokohe, Reiz Malile. Pra, këta ishin kontaktet e mia të para si dhe departamenti i protokollit të Ministrisë së Jashtme.
Blendi Fevziu: Po jashtë protokollit apo pa protokoll? Cili ishte kontakti i parë?
Werner Daum: Sot mund ta them, pas 35 vitesh.
Blendi Fevziu: Nuk ka më rrezik.
Werner Daum: Mbaj mend se ishin njerëz nga Tirana, por më pas mu lejua të udhëtoja lirshëm thuajse kudo në Shqipëri. Kam pasur mundësinë unike të zbuloja bukurinë e vendit më të bukur të Ballkanit. Malet, deti, qytet e vjetra si Shkodra, Durrësi, Elbasanin, Vlorën.