Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme lidhur me aksionin e IKKMT-së në Theth për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se në Theth po vijon puna për pastrimin e mbetjeve inerte të përftuara nga shembja e objekteve të ndërtuara në shkelje të ligjit në një nga zonat më të mbrojtura dhe të rëndësishme për turizmin natyror dhe historik të vendit.
Ai thekson se janë shembur mbi 100 objekte pa leje, të ndërtuara nga 40 subjekte në mënyrë të paligjshme në Theth, përfshirë struktura me mure, konstruksione metalike dhe me dru.
Në fund, ai njofton se ka nisur faza e dytë e Rilindjes Urbane 2.0, të cilën e konsideron të domosdoshme për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Postimi i Ramës:
Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.
Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.
Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE.