Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte zhvilloi ditën e sotme një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Teksa foli pas takimit, Rutte e ka cilësuar një “marrëveshje vërtet të rëndësishme” akordin që ai njoftoi së bashku me presidentin Trump, për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Rutte bëri të ditur se Trump e kishte kontaktuar të enjten, duke i shprehur gatishmërinë për të furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake të domosdoshme për mbrojtjen ndaj Rusisë – por me kusht që koston ta mbulojnë vendet europiane, gjë që Rutte e quajti “krejtësisht të arsyeshme”.
“Marrëveshja bazohet në suksesin e madh të samitit të fundit të NATO-s dhe tregon se vendet europiane po angazhohen gjithnjë e më shumë për mbështetjen e Ukrainës,” deklaroi Rutte.
Ai konfirmoi se disa shtete kanë shprehur gatishmërinë për t’u bashkuar me marrëveshjen, përfshirë Finlandën, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Kanadanë.
Sipas tij, marrëveshja do t’i mundësojë Ukrainës të marrë “një sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake – që nga mbrojtja ajrore e deri te raketat dhe municionet”.
Shefi i NATO-s kritikoi edhe veprimet e fundit të Rusisë, duke i quajtur sulmet ndaj qyteteve ukrainase si “të papërshkrueshme dhe pa lidhje me objektiva ushtarakë”, me qëllim kryesor përhapjen e panikut mes civilëve.
Rutte i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të marrë seriozisht paralajmërimin e fundit të Donald Trump, i cili i ka vendosur afat prej 50 ditësh për të arritur një marrëveshje paqeje me Kievin – në të kundërt, SHBA do të vendosë sanksione dytësore ndaj Rusisë, me efekte që arrijnë deri në 100%.
“Nëse do isha në vendin e Vladimir Putinit pas kësaj deklarate, do ta rishikoja me serioz qasjen ndaj negociatave për Ukrainën,” përfundoi Rutte.