Lirohen dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit në Tiranë.
Sipas policisë së kryeqytetit janë proceduar penalisht 2 shtetas, për zënien e këtyre hapësirave.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”’, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Tiranës vijon angazhimin për mbrojtjen e hapësirave publike dhe thekson se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të territorit publik.