Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane ka marrë pjesë në konferencën e ECR (Konservatorët Europianë) të zhvilluar në Napoli të Italisë. Diskutimet për gjeopolitikën si dhe rolin e Mesdheut në këto zhvillime kanë qenë fokusi i diskutimeve të konferencës.
Kreu i PR, në një postim në rrjetet sociale shkruan se në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë, pati mundësinë të diskutojë mbi sfidat dhe zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, si dhe rolin që luan Ballkani dhe Shqipëria në kuadër të këtyre zhvillimeve.
Gjithashtu, gjatë zhvillimeve të kësaj konference siç bën të ditur Mediu ka folur edhe për situatën në vendin tonë.
Ai u shpreh se: ‘Vura në dukje se një nga problemet më të mëdha është kërcënimi i demokracisë nga brenda, rritja e Autoritarizmit: Demokracia po kërcënohet nga brenda, Shqipëria përballet me autoritarizëm, krimi organizuar, korrupsioni mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe shpopullim masiv”
Gjatë qëndrimit në Napoli, Mediu zhvilloi takime dhe shkëmbeu mendime me figura të rëndësishme të politikës italiane, europiane dhe amerikane, si Lucio Ciriani, Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin në qeverinë italiane, Mateusz Moraëiecki, Kryetar i ECR dhe ish-Kryeministër i Polonisë, Roberts Zīle, Nënkryetar i Parlamentit Europian, Carlo Fidanza, Nënkryetar i Grupit të Konservatorëve Europianë, Antonio Giordano, Sekretar i Përgjithshëm i ECR, Caush Ahra, ish-zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së në Administratën Trump, ekspert për çështjet e sigurisë dhe ekonomisë.