Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka njoftuar punonjësit e tij se do të pushojë nga puna qindra prej tyre “në ditët në vijim”, pas vendimit të kësaj jave të Gjykatës së Lartë që i lejon administratës së Donald Trump-it të vazhdojë me shkurtimet masive të vendeve të punës në të gjitha agjencitë federale.
Financial Times shkruan se plani i administratës, i shpallur nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio në muajin prill, do të pushojë nga puna rreth 15% të fuqisë punëtore të departamentit dhe synon ta bëjë Departamentin e Shtetit “të rëndësishëm”, “efektiv dhe të shpejtë”, tha zëdhënësja e departamentit Tammy Bruce të enjten.
“Kur diçka është shumë e madhe për të funksionuar, shumë burokratike për të vepruar në mënyrë efektive dhe për të realizuar projekte apo veprime, atëherë ajo duhet të ndryshojë,” tha ajo.
Reduktimi i stafit të Departamentit të Shtetit është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga Shtëpia e Bardhë për të eliminuar dhjetëra mijëra vende pune në të gjitha agjencitë qeveritare të SHBA-së.
Presidenti Trump në janar i dha autoritet të besuarit të tij të atëhershëm Elon Musk për të shkurtuar stafin dhe shpenzimet në të gjithë qeverinë federale me qëllimin për të eliminuar burokracinë e “shpërdorimit, mashtrimit dhe abuzimit”, misioni i të ashtuquajturit Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë.
Kritikët, disa prej të cilëve kanë paditur administratën, e kanë akuzuar Trump-in dhe Musk-un për mbylljen e programeve që janë thelbësore për sigurinë kombëtare, shëndetin global dhe interesa të tjera të SHBA-së jashtë vendit, krahas atyre që janë vërtet të padobishme.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të enjten se pushimet e pritshme nuk do të bazohen në merita individuale, siç janë aftësitë kritike gjuhësore. Në vend të kësaj, departamenti do të synojë “funksione” dhe zyra që sekretari, në konsultim me Kongresin, i ka gjetur të tepërta ose në mospërputhje me agjendën e Trump-it.
“Ne shqyrtuam funksionet që po kryheshin, jo individët”, tha një zyrtar i lartë i departamentit.
Pasi një gjyqtar federal në maj bllokoi përkohësisht operacionin e zvogëlimit në 20 agjenci, në pritje të sfidave gjyqësore, Gjykata Supreme të martën vendosi që plani mund të vazhdonte.
Zyrtarët e departamentit nuk pranuan të thonë saktësisht se sa njerëz do të humbasin punën, apo sa do të zgjasë ky proces. Departamenti kishte njoftuar Kongresin më herët këtë vit se rreth 1 mijë e 800 persona do të preken, përveç gati një mijë të tjerëve që kishin zgjedhur të largoheshin vullnetarisht.
Një zyrtar i lartë i departamentit tha të enjten se këto shkurtime nuk do të përfshijnë stafin e shërbimit të jashtëm të vendosur jashtë vendit.
“Nuk kemi plane për këtë për momentin,” tha zyrtari. “Sekretari dëshiron ta trajtojë këtë hap pas hapi dhe për momentin po shqyrtojmë praninë tonë të brendshme.”
Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Michael Rigas, shkroi në një email: “Janë bërë të gjitha përpjekjet për të mbështetur kolegët tanë që po largohen. Në emër të udhëheqjes së departamentit, shprehim mirënjohjen tonë për punën tuaj të palodhur dhe përkushtimin për realizimin e riorganizimit, si dhe për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për avancimin e interesave kombëtare të SHBA-ve në mbarë botën.”/tvklan.al