Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma, finalizohet operacioni policor i koduar “Diving”.
Operacioni është kryer nga komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ku është goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Nga ky operacion janë vënë në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale. Ndërkohë sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.
‘Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:
E.D., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
B. C., 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”. Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale’, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.