Në takimin që po mban në Vlorë me kryebashkiakët e vendit, kryeministri Rama u ndal përsëri tek Vlora, ku përmendi një fakt të pakonceptueshëm sipas tij, atë të zaptimit të trotuareve.
Në fjalën e tij, kreu i kabinetit qeveritar ndër të tjera theksoi edhe se legalizimet duhet të mbyllen sa më shpejtë.
“Ndërkohë qytetarëve ju duhet trotuari sepse ajo që ka ndodhur në Vlorë është e paimagjinueshme dhe mbase ka ndodhur edhe në qytete të tjera, por kur ma thoshin njerëzit më dukej sikur ishte një nga ato hiperbolat vlonjate që kanë hipotekuar trotuaret, se kanë legalizuar tendat. Do ti që ishte e vërtetë kjo. Një gjë e pakonceptueshme. Kjo punë duhet të mbyllet. Legalizimet duhet të mbyllen. Do t’i mbyllim brenda mandatit të 4. Kemi vënë objektiv 2028, duhet të bëjmë brenda 2028. Njerëzit duhet të marrin përfundimisht legalizimet. Nuk ka proces, proces për tenda e barake që pastaj kthehen në pronë e lokale, nuk ka! Të kesh taksën zero dhe të marrësh”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se janë ato biznese që nuk paguajnë asnjë taksë të cilët kërkojnë që të shtrijnë punë e tyre edhe në trotuare, gjë që sipas tij nuk do të ndodhë më.
“Një gjë dua t’ju them këtyre që kanë këto lokalet. E kanë taksën zero nga shteti si biznes i vogël edhe pse një pjesë e madhe e tyre bëjnë si biznes i vogël dhe nuk janë biznes i vogël, por kjo do të zgjidhet. Por ama të kesh taksën zero e TVSH zero dhe të hapesh të marrësh trotuarin e parë dhe të dytin dhe pastaj të thuash po më pengojnë, nuk ka për të ndodhur. Dhe për më tepër të futet legalizimi në mes”, tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë ndër të tjera theksoi se kush bën pa leje shtesa do ta paguajë shumë shtrenjtë, teksa shtoi se ato që nuk zbatojnë lejet e ndërtimit do të shkojnë në burg.
“Kush bën pa leje shtesë mbi shtesë do ta paguajnë shumë shtrenjtë. Atyre që merren me ndërtime ju them që mos merrni në qafë administratorët e kantiereve. Do të shkojnë të gjithë në burg për moszbatim të lejeve dhe për ndërtim pa leje brenda lejes”, tha Rama.