Një gjykatë në Bosnje e Hercegovinë ka hequr masën e paraburgimit për Radovan Vishkoviqin, kryeministër i Republikës Sërpska (RS), dhe për Nenad Stevandiqin, kryetar i parlamentit të RS-së, raporton Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.
Seanca u mbajt të mërkurën, më 9 korrik, ku atyre u janë caktuar masa ndaluese – konkretisht, detyrimi për t’u paraqitur çdo 14 ditë në organin kompetent të policisë, thuhet në njoftim.
Pak ditë më parë, kjo gjykatë e kishte hequr masën e paraburgimit edhe për Millorad Dodikun, president i RS-së.
Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë kishte lëshuar në mars të këtij viti urdhër për shoqërimin e tyre nga policia gjyqësore.
Sipas këtij urdhri, të tre akuzohen për kryerjen e veprës penale “sulm ndaj rendit kushtetues”.
Urdhri ishte lëshuar në ditën kur parlamenti i RS-së pritej të diskutonte për Draftin e Kushtetutës së re të RS-së, përmes së cilës autoritetet në këtë ent planifikojnë ta përcaktojnë RS-në si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtë vetëvendosjeje, të themelojnë ushtrinë e tyre dhe të shfuqizojnë Këshillin e Popujve.
Kodi Penal i Bosnje e Hercegovinës parasheh dënime deri në pesë vjet burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve zyrtare për këdo që “në mënyrë të paligjshme përpiqet të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, apo të rrëzojë institucionet më të larta të saj”.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese në Bosnje e Hercegovinë ka marrë një masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të Ligjit për regjistrin e posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse. Kërkesa është paraqitur nga Kemal Ademoviq, nënkryetar i Dhomës së Popujve në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Ky ligj, i miratuar nga Kuvendi i RS-së, sipas modelit të ligjit rus, vendos kontroll të rreptë mbi punën e sektorit civil në këtë entitet.
Dodik ka deklaruar se ligjet do të zbatohen pavarësisht këtij vendimi të gjykatës.
Ligjet e fundit janë dënuar pothuajse unanimisht në arenën ndërkombëtare – nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e deri te shumë ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë./REL