Irani është gati të rifillojë bisedimet me SHBA-në mbi të ardhmen e programit të tij bërthamor. Kështu është shprehur Presidenti iranian Masoud Pezeshkian.
Ai deklaroi në një intervistë për gazetarin amerikan Tucker Carlson se infrastruktura bërthamore e vendit të tij ishte “dëmtuar rëndë” nga sulmet e SHBA-së.
Pezeshkian shtoi se Irani mund t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me SHBA-në përmes dialogut, por besimi do të ishte një problem pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit. “Unë besoj se ne mund t’i zgjidhim shumë lehtë mosmarrëveshjet dhe konfliktet tona me Shtetet e Bashkuara përmes dialogut dhe bisedimeve“, tha ai.
Pezeshkian, gjatë kësaj interviste akuzoi gjithashtu Izraelin për përpjekjen për ta vrarë atë gjatë një takimi strategjik të zyrtarëve iranianë.
“Po, ata u përpoqën dhe vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan“, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nëse besonte se Izraeli ishte përpjekur ta vriste.
Megjithatë Pezeshkian nuk dha detaje rreth atentatit.