Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka mbërritur në Gjykatën e Fierit, ku po mbahet seanca mbi kërkesën e tij për lirimin me kusht.
Seanca po mbahet në Gjykatën e Fierit, ku Shërbimi i Provës pritet të paraqesë raportin e tij në bazë të të cilit do të merret dhe vendimi për pranimin ose jo të kërkesës së ish-deputetit.
Në seancën e shkuar të mbajtur në datën 23 qershor, raporti i vlerësimit nga IEVP Fier kishte ardhur pozitiv sikurse pati deklaruar avokati mbrojtës i Salianjit, Ledio Braho.
Kujtojmë se Salianji u dënua nga Gjykata e Tiranës për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim publik që kishte bërë ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj.
Bëhet fjalë për rastin që u njoh publikisht si “Babalja”, ku pretendohej se vëllai i Xhafajt ishte i përfshirë në trafikun e drogës.