Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka mirëpritur në Tiranë ministrin Izraelit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Eli Cohen.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gonxhja thotë se shkëmbyen mendime për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në disa sektorë me interes të ndërsjelltë.
“Diskutuam mbi iniciativa konkrete, ku një theks i veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së inovacionit mes dy vendeve, me synimin për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investimet izraelite në Shqipëri. U theksua rëndësia e zhvillimit të një ekosistemi të qëndrueshëm ekonomik që mbështet sipërmarrjen, teknologjinë dhe digjitalizimin.
Vëmendja u përqendrua sidomos në promovimin e partneriteteve në fushat e kërkimit dhe zhvillimit (R&D), ku përvoja izraelite përbën një aset të çmuar për avancimin e kapaciteteve vendase dhe gjenerimin e zgjidhjeve të reja inovative me impakt konkret në ekonomi.
Diskutuam gjithashtu mbi mundësitë për të zhvilluar projekte inovatore në sektorin e agritech dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, fusha me potencial të lartë për ndikim afatgjatë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë mjedisor, ku teknologjia luan një rol kyç.
Në takim u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit edhe në fushën e edukimit dhe inovacionit shkencor, përmes shkëmbimeve akademike dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe qendrave të ekselencës kërkimore të të dy vendeve”, shkruan Gonxhja.