Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po hyn në fazën vendimtare. Së shpejti radhën e ka mbrojtja, e cila pritet të paraqesë dëshmitarët dhe provat në fund të muajit gusht, sipas asaj që transmetojnë mediat në Kosovë.
Avokatët kërkojnë që të dëgjohen dëshmitarë me njohuri të drejtpërdrejtë dhe të dokumentohen, të dhëna që sipas tyre, tregojnë manipulime nga Serbia. Avokati Skënder Musa tha për Klan Kosovën, se akuzat kryesore nuk mund të rrëzohen pa dëshmuar dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja dhe pa u shqyrtuar provat që ajo do të paraqesë.
“Numri i dëshmitarëve të mbrojtjes do të jetë dukshëm më i kufizuar sesa ai i Prokurorisë, pasi kjo e fundit nuk ka bërë asnjë selektim real të dëshmitarëve. Kemi parë dëshmitarë që nuk kanë pasur as idenë pse janë ftuar të dëshmojnë. Ne që e kemi njohur situatën gjatë dhe pas luftës, kemi parë disa prej tyre të deklaruar publikisht si dëshmitarë të rrejshëm. Megjithatë, nuk besoj se ndonjëri prej tyre ka dëshmuar për krime lufte apo kundër njerëzimit – si trajtim çnjerëzor – sepse këto nuk kanë ndodhur, as gjatë luftës dhe as pas saj”, tha ai.
Sipas tij, Serbia kishte paraqitur si civilë edhe pjesëtarë të forcave të saj të armatosura duke shtuar se në luftë askush nuk mund të përgjigjet penalisht nëse “gjatë betejës vret ushtarë, policë apo oficerë”.
“Besoj që mbrojtja deri tani ka arritur të demaskojë raste të tilla, por puna duhet të vazhdojë”, shtoi ai.
Ndërsa avokat Emrush Kastrati tha se mbrojtja duhet të sjellë dëshmitarë që kanë njohuri të drejtpërdrejta për luftën dhe për UÇK-në.
“Në rast se vlerësojnë se do të ketë dëshmitarë të rinj të mbrojtjes atëherë natyrisht që konferencës statusore mund t’i paraqiten dëshmitarët e mbrojtjes për të vazhduar procesi gjyqësor”, tha Kastrati.
Sipas afateve të përcaktuara nga Trupi Gjykues, mbrojtja duhet ta dorëzojë listën e dëshmitarëve dhe provave deri më 21 korrik, ndërsa paraqitja zyrtare e rastit të saj pritet të nisë në fund të gushtit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.
Por, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës./tvklan.al