Gjatë 4 viteve në sallën e Kuvendit, deputetët folën e propozuan shumë ide, por pak prej tyre e panë kartonin jeshil.
Gjatë legjislaturës që lamë pas, u propozuan 61 nisma, 38 nga opozita dhe 23 nga socialistët. Demokratët kërkuan me ngulm ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ligjin për dekriminalizimin apo minimumin jetik.
Socialistët kërkuan të largonin nga funksionet publike bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Të gjitha këto, ligjvënësit i harruan, duke u kthyer në spektatorë dhe votues të nismave nga Këshilli i Ministrave.
Këtë fenomen, drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, e lidh me mungesën e pavarësisë që deputetët kanë në aktivitetin parlamentar.
Demokratizimi i grupeve parlamentare, sipas Krasniqit, është një mekanizëm që mund të ndryshojë rolin e deputetëve.
Megjithatë, ligjvënësit e rinj në legjislaturën e ardhshme, Krasniqi nuk i sheh shumë premtues.
Sipas rregullores së Kuvendit, në shtator, kur të nisë legjislatura e re, nismat e deputetëve aktualë nuk do të kenë më vend në kalendar.
Klan News