Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në zonën e “Vasil Shantos”, ku një 29-vjeçar që ishte duke qarkulluar së bashku me një person tjetër me një automjet tip “Audi Q8” i cili nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar.
Makina, në të cilën udhëtonin dy persona, është larguar me shpejtësi. Kjo gjë ka bërë që Policia ta ndjek për disa minuta në rrugët e kryeqytetit.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi i “AudiQ8” ka përplasur me makinën e tij edhe tre makina të tjera. Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.
Policia arriti të arrestojë pasagjerin, Skerdi Sina, ndërsa është në kërkim të drejtuesit të mjetit.
Skerdi Sina nuk është i pa njohur për policinë. Në janar të këtij viti ai u shpall në kërkim bashkë me 4 persona të tjerë pasi mbajtën të mbyllur në një banesë të marrë me qira ditore në Astir, një 21-vjeçare.
Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.