Policia e Durrësit ka sekuestruar mbi 22 mijë franga zvicerane dhe 555 euro që dy persona tentonin t’i fusnin në Shqipëri pa i deklaruar.
Sipas uniformave blu mësohet se paratë u zbuluan gjatë kontrollit në portin e Durrësit, të fshehura në trupat e dy shtetasve kosovarë, për të cilët ka nisur procedimin në gjendje të lirë.
“Nga kontrolli i shërbimeve të Policisë Kufitare të portit të Durrësit, i kryer në bazë të analizës së riskut, dy shtetasve iu gjetën të fshehura në trup, në total 22 820 franga zvicerane dhe 555 euro, që tentonin t’i futnin në Shqipëri, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Shuma e parave u sekuestrua nga Policia, me cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.