Situata e zjarreve në vendin tonë vijon të mbetet nën kontroll.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra zjarri në 12 bashki: Vlorë, Sarandë, Ksamil, Delvinë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Elbasan.
Të gjitha vatrat janë arritur të shuhen dhe nuk ka dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë. Megjithatë zjarret kanë djegur rreth 35.9 ha sipërfaqe, kryesisht me shkurre dhe barishte.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 266 forca operacionale, 35 automjete zjarrfikësese dhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura
Në kuadër të përballimit të situatës së zjarreve në jug të vendit, Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin ajror me dronë, duke garantuar vëzhgim të pandërprerë ditën dhe natën mbi zonat më të rrezikuara nga flakët.
I gjithë mekanizimi i Mbrojtes Civile në nivel vendor dhe qendror mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të situatës.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm u regjistruan edhe dy lëkundje tërmeti: një me magnitudë 3.9 Rihter në Fushë-Krujë me thellësi 15 km, dhe një tjetër me magnitudë 3.8 në Zall-Herr, Tiranë. Nuk raportohet për dëme në njerëz apo objekte.
Për ditën e sotme, IGJEUM parashikon reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë, ndërsa për rrezikun nga zjarret, qarku Fier klasifikohet me nivel “të lartë”, ndërsa qarqet e tjerë me “rrezik të moderuar”.