Në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sulmoi ashpër atë që ai e quan “gazetarë të lajmeve të rreme” nga CNN-i dhe New York Times-i, duke thënë se ata duhet të shkarkohen “menjëherë”.
Trump i akuzoi ata si “njerëz të këqij me qëllime të liga!”.
Ai ka sulmuar vazhdimisht CNN-in dhe New York Times-in për raportimet e tyre mbi një vlerësim paraprak të inteligjencës, i cili vinte në dyshim efektivitetin e sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Që atëherë, administrata Trump ka vazhduar të kundërshtojë këto raportime, me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili sot këmbënguli në një konferencë për shtyp se sulmet ishin “historikisht të suksesshme”. Ai citoi disa agjenci të ndryshme mbi dëmet e shkaktuara nga goditjet amerikane.