Policia ka vënë në pranga një 18-vjeçar, i cili dyshohet se ka goditur me thikë 23-vjeçarin, gjatë konfliktit për motive të dobëta që ndodhi ditën e djeshme në fshatin Dojan, Tropojë.
Po ashtu është vënë në pranga edhe një 21-vjeçar, i akuzuar për moskallëzim krimi.
Është proceduar në gjendje të lirë 23-vjeçari i dëmtuar, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Dojan, ku u plagos me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. B., specialistët për
Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Kukës arrestuan shtetasit:
-O. L., 18 vjeç, banues në Bajram Curri, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë;
-A. H., 21 vjeç, banues në fshatin Dojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se në fshatin Dojan, shtetasi O. L. është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A. B. dhe e ka goditur atë, me mjet prerës thikë.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin e dëmtuar, A. B., 23 vjeç, banues në Tropojë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
23-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashte rrezikut për jetën”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Kukës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al