Është konfirmuar nga ana e Izraelit propozimi për armëpushim i paraqitur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Konkretisht, në një deklaratë zyrtare nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahut thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit.”
Sipas zyrës së kryeministrit propozimi për armëpushim u pranua pasi “janë arritur objektivat” e sulmeve ndaj Iranit.
Në deklaratë thuhet se Izraeli ka eliminuar “kërcënimin e dyfishtë dhe të menjëhershëm ekzistencial” nga Irani, që kishte të bënte me armët bërthamore dhe raketat balistike.
Po ashtu, autoritetet izraelite bëjnë me dije se kanë “shkaktuar dëme të rënda ndaj udhëheqjes ushtarake iraniane dhe kanë shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë së Iranit”.
Më tej, deklarata sipas BBC, nënvizon se forcat izraelite, gjatë ditës së fundit, “kanë goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij-it”, që përdoret shpesh nga qeveria iraniane për shtypjen e protestave, si dhe “kanë eliminuar edhe një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor”.

















