Pakistani ka njoftuar se planifikon të nominojë Presidentin e SHBA, Donald Trump për çmimin Nobel për Paqe, duke përmendur rolin që luajti në ndihmën për të negociuar një armëpushim muajin e kaluar midis Indisë dhe Pakistanit.
Përmes një postimi në platformën “X”, qeveria pakistaneze tha se Trump e meritonte çmimin “në njohje të ndërhyrjes së tij vendimtare diplomatike dhe udhëheqjes së tij kryesore gjatë krizës së fundit Indi-Pakistan”.
India ka mohuar se SHBA-ja ka shërbyer si ndërmjetëse për t’i dhënë fund luftimeve muajin e kaluar dhe thotë se nuk dëshiron asnjë ndërhyrje diplomatike nga një palë e tretë.
Trump shpesh ka sugjeruar se duhet të marrë Çmimin Nobel për Paqen, fituesi i të cilit këtë vit do të shpallet në tetor.
Në maj, Trump bëri një njoftim të befasishëm për një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit pas katër ditëve të luftimeve midis fqinjëve të armatosur bërthamor.
Qeveria e Pakistanit tha në postimin e saj:
“Presidenti Trump demonstroi largpamësi të madhe strategjike dhe mjeshtëri shtetërore përmes angazhimit të fortë diplomatik si me Islamabadin ashtu edhe me Nju Delhi, të cilat de-përshkallëzuan një situatë që përkeqësohej me shpejtësi.
Kjo ndërhyrje qëndron si një dëshmi e rolit të tij si një paqebërës i vërtetë.”
Trump ka thënë vazhdimisht se India dhe Pakistani i dhanë fund konfliktit pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, dhe gjithashtu se ai kishte përdorur tregtinë si një levë për t’i bërë ata të bien dakord.
Pakistani ka vërtetuar deklaratat e SHBA për ndërmjetësimin e armëpushimit, por India e ka mohuar atë.