Përdoruesit e internetit janë këshilluar të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të përmirësojnë sigurinë e tyre digjitale, pas raportimeve se rreth 16 miliardë regjistra hyrjesh mund të jenë sulmuar kibernetikisht nga hakerat.
Hulumtuesit e Cybernews, një portal teknologjik online, zbuluan 30 databaza të dhënash që përmbanin kredenciale të mbledhura nga softuerë keqdashës të njohur si “infostealers” dhe rrjedhje të tjera të të dhënave.
Sipas Cybernews, këto të dhëna ishin ekspozuar “vetëm përkohësisht”, por përbënin një total prej 16 miliardë regjistrash hyrjeje, me një numër të paspecifikuar të regjistrave të përsëritur, duke e bërë të vështirë të përcaktohet saktësisht se sa llogari apo individë janë prekur.
Kredencialet e zbuluara mund të lejojnë qasje në shërbime si Facebook, Apple dhe Google, megjithëse kompanitë përkatëse nuk kanë raportuar ndonjë shkelje të dhënash.
Bob Diachenko, specialist ukrainas i sigurisë kibernetike pas këtij hulumtimi, tha se databazat ishin bërë të disponueshme përkohësisht për shkak të ruajtjes së dobët në servera të largët, para se të hiqeshin përsëri. Ai po punon për të kontaktuar individët dhe kompanitë e prekura.
“Do të marrë kohë, pasi bëhet fjalë për një sasi shumë të madhe të dhënash,” tha ai.
Diachenko njoftoi se të dhënat përfshinin URL-të e faqeve të hyrjes në Apple, Facebook dhe Google.
Një zëdhënës i Google theksoi se të dhënat e raportuara nuk vinin nga ndonjë shkelje e sigurisë së Google.
Përdoruesit mund të kontrollojnë gjithashtu në faqen haveibeenpwned.com nëse emaili i tyre është përfshirë në ndonjë rrjedhje të të dhënave.
Cybernews tha se formati i të dhënave ishte i qartë: URL, të dhënat e hyrjes dhe fjalëkalimi. Rreth 85% e tyre ishin nga infostealers, ndërsa pjesa tjetër nga rrjedhje të mëparshme, si ajo e LinkedIn.
Ekspertët theksuan rëndësinë e ndryshimit të rregullt të fjalëkalimeve dhe përdorimin e masave të forta sigurie, përfshirë dy nivelet ose metodat pa fjalëkalim si passkeys, të cilat promovohen nga Google dhe Meta.
Infostealers janë viruse realë dhe aktivë, por nëse përdorni fjalëkalime me dy nivele sigurie, nuk ka vend për shqetësim të madh.