Mëngjesi i së mërkurës i gjeti në terren përfaqësuesit e task-forcës së përbashkët të ngritur për menaxhimin e plazheve.
Në fokus të kontrolleve ishte zbatimi i të gjithë elementëve të sigurisë përgjatë vijës bregdetare të qarkut të Durrësit.
Një prej elementëve është aktiviteti i sporteve ujore, ku u bënë kontrolle në 10 vendbazimet e caktuara për motorët e ujit.
“Kontrollet do të jenë të vazhdueshme. Ju na shikoni sot, në fakt ne kemi nisur prej muajsh punën në mënyrë institucionale, por edhe në terren. Patjetër që do të kemi kontrolle gjatë gjithë sezonit turistik veror, që do të thotë deri më 15, 20 shtator,” tha Oltsen Gripshi, koordinator i Task-Forcës, Durrës.
Kontrollet u përqendruan edhe te kullat e vrojtimit dhe rojet bregdetare, që duhet të zbatohen nga subjektet, por edhe nga bashkia për plazhet publike.
“Janë të certifikuar 190 roje bregdetare, sikundër dhe kullat e vrojtimit po gjithashtu. Jemi këtu edhe për këtë element sepse edhe ky është tepër i rëndësishëm.”
Autoritetet kanë edhe një paralajmërim për ata që nuk zbatojnë ligjin:
“Kush shkel ligjin, kush uzurpon hapësirat publike, ne do të jemi këtu dhe të gjithë do të kenë ndëshkimin konform ligjit dhe vetëm ligji do të ketë përparësi.”
Pavarësisht vijës së gjatë bregdetare, autoritetet në Durrës thonë se kanë të gjitha kapacitetet për të ushtruar kontrollet e duhura për mbarëvajtjen e sezonit turistik./Klan News