Presidenti i Republikës së Shqiërisë, Bajram Begaj ka mbajtur një deklaratë të përbashkët përmbyllëse për shtyp me homologët e tij të RMV-së dhe Bullgarisë, për samitin e SEECP-së.
Begaj u shpreh se procesi i zgjerimit i unionit evropian, nuk është i bazuar vetëm tek integrimi ekonomik apo reformat politike të shteteve që duan të anëtarësohen, por gjithashtu dhe tek forcimi i sigurisë së kontinentit.
“Përparimet e bashkëpunimit rajonal janë të prekshme. Procesi i zgjerimit të BE, nuk lidhet vetëm me integrimin ekonomik e reformat politike, por edhe forcimin e sigurisë evropiane”, tha ai.
Për këtë, kreu i shtetit, mori shembull luftën në Ukrainë, duke e cilësuar si një shembull që paqja, siguria, stabiliteti i Evropës Juglindore, janë shumë të rëndësishme.
“Lufta në Ukrainë, e ka treguar qartë se paqja dhe siguria e stabiliteti në Evropën Juglindore, janë pjesë e arkitekturës më të gjerë evropiane të sigurisë”, tha ai.
Presidenti Begaj u ndal dhe tek konfliktet në Lindjen e Mesme. Për konfliktin Izrael-Iran, u shpreh se ka pasoja të rënda jo vetëm për Lindjen e Mesme, por dhe më gjerë. Kreu i shtetit, tha se Shqipëria riafirmon të drejtën për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit të tij. Nga ana tjetër, pati dhe thirrje për Iranin që të ndalojë planet e saj bërthamore dhe balistike.
Një thirrje të përbashkët u bëri Izraelit e Iranit, e çdo pale tjetër të përfshirë, që të bëjnë përpjekje diplomatike për të ulur tensionet në këto dy shtete.
“Shqipëria shpreh shqetësimin për tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet. Po ashtu, i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike e të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mos Përhapjen e Armeve Bërthamore. Shqipëria i bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale dhe përpjekje diplimatike për të ç’tensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Presidenti Begaj.