Shtetet arabe intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin në Lindjen e Mesme pas sulmeve izraelite ndaj Iranit. Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarë nga Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Jordania, Kuvajti apo Iraku.
Sulmi ushtarak, i koduar nga Izraeli si “Luani në Ngjitje”, përfshiu më shumë se 200 avionë luftarakë dhe u fokusua në objektiva bërthamore dhe figura të larta ushtarake në Iran. Si përgjigje, Irani qëlloi me raketa balistike drejt Tel Avivit.
Reagimet diplomatike
Arabia Saudite: Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, ku u theksua nevoja për zgjidhje diplomatike. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, kritikoi ashpër sulmin izraelit dhe foli me homologët e tij nga Egjipti, Jordania dhe Norvegjia për situatën.
Katar: Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm zhvilluan biseda me homologë nga Arabia Saudite, Egjipti, Omani dhe Jordania, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës. Ata dënuan sulmet, duke premtuar bashkëpunim për të parandaluar destabilizimin e rajonit.
Emiratet e Bashkuara Arabe: Ministri i Jashtëm Abdullah bin Zayed pati biseda telefonike me homologë nga Katar, Omani, Franca, Britania e Madhe dhe Rusia për të koordinuar përpjekjet diplomatike.
Omani: Sulltani Haitham bin Tariq foli me kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke diskutuar për tensionet dhe nevojën për stabilitet në rajon.
Egjipti: Ministri i Jashtëm Badr Abdelatty foli me homologët nga Katari dhe Irani, duke theksuar refuzimin e shkeljeve të sovranitetit dhe rrezikun nga përshkallëzimi i konfliktit.
Jordania: Mbreti Abdullah II foli me kryeministren Meloni dhe paralajmëroi për rrezikun serioz ndaj sigurisë rajonale. Ministri i Jashtëm Ayman Safadi dënoi po ashtu sulmet izraelite dhe theksoi se Jordania nuk do të tolerojë shkelje të sovranitetit të saj.
Kuvajti: Ministri i Jashtëm Abdullah al-Yahya shprehu solidaritet me Iranin dhe theksoi nevojën për përpjekje diplomatike për të ruajtur sigurinë rajonale.
Iraku: Ministri i Jashtëm Fuad Hussein njoftoi se Irakut i ka çuar ankesë zyrtare Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkeljet ajrore izraelite në hapësirën e tyre ajrore.
Këto përpjekje diplomatike synojnë të ulën tensionet dhe të shmangin përshkallëzime të mëtejshme që mund të destabilizojnë gjithë rajonin. Komuniteti ndërkombëtar po e ndjek me shqetësim të madh situatën në Lindjen e Mesme dhe kërkon dialog për zgjidhje paqësore.