“Ishulli i Maligradit është ishulli që do të zbulojmë, me një sipërfaqe prej 5 hektarësh. Është një ndër ishujt më të vegjël në Shqipëri, pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, por më interesanti, pasi ka një mozaik vlerash natyrore dhe kulturore”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.
Surpriza e veçantë e Maligradit, që ia shton atij pasurinë, është kjo kishë në rrëzë të shpellës. Duket që në krye të herës, e bukur, mistike. Quhet Kisha e Shën Mërisë dhe daton në shekullin e XIV. Është 656-vjeçare.
Në murin ballor të saj shquhet portreti i Qesar Novakut, fisnikut me origjinë nga Maqedonia e Veriut, që pagoi për ndërtimin e kishës, kushtuar bashkëshortes së tij. Ajo ndodhet po ashtu në një pikturë përkrah tij, bashkë me të bijën dhe Shën Mërinë në qendër.
Në krahun e majtë të saj, në faqet e shkëmbinjve, ruhet një tjetër surprizë historike, e pastudiuar mirëfilli, tepër e veçantë. Janë këto vizatime që i takojnë shekullit të VI pas erës sonë, ende të pazbuluara plotësisht nga arkeologët.
Turizmi u ka dhënë mundësi banorëve të përshtatin shtëpitë në bujtina e shtëpi pushimi, apo të ndërtojnë sipërmarrje të vogla në fushën e shërbimeve.
Holandezët janë ata që preferojnë më së shumti turizmin natyror të kësaj zone.
“Jam në pikën më të lartë të Ishullit të Maligradit dhe nën këmbët e mia ndodhen rrënojat e një vendbanimi që mendohet se ka ekzistuar këtu gjatë shekullit të V-VI pas erës sonë. Ndërsa nga këtu mund të shquajmë territoret e dy vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thotë gazetarja Anisa Krraba.
Ishulli i Maligradit ndryshe njihet si Ishulli i Gjarpërinjve, për të cilët specialistët mjedisorë thonë se nuk janë helmues, dhe prania e tyre në ishull reflekton pastërtinë e ujërave.
Tv Klan