Për herë të parë në Shqipëri, Dritan Rexhepi është duke u hetuar për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim me persona të tjerë.
Në procesin gjyqësor, ku ai po gjykohet si porositës i rrëmbimit të Jan Prengës, SPAK pranoi se në komunikimet e zbardhura në Sky mes tij dhe një tjetër të bashkëpandehuri në këtë proces, janë gjetur biseda që lidhen me trafikun e drogës.
Këto komunikime konsiderohen sekret nga ana e SPAK, i cili thotë se janë pjesë e një tjetër dosjeje nën hetim dhe janë tërhequr për t’u përdorur në këtë gjykim për shkak se ka biseda ku flitet edhe për rrëmbimin e Prengës.
Ky i fundit mbeti i vdekur gjatë rrëmbimit të urdhëruar, sipas SPAK, nga Rexhepi, teksa qëndronte në qeli në Ekuador, pikërisht për shkak të grabitjes së një sasie kokainë në portet e Britanisë.
Rexhepi, i cili deri para arrestimit në Turqi ishte një nga shqiptarët më të kërkuar dhe ekstradimi i tij u kërkua edhe nga Italia dhe Belgjika, po vuan një dënim prej 25 vitesh burg për një vrasje në vitin 1999.
Ai jetoi për vite me radhë në Ekuador dhe nga autoritetet italiane konsiderohet si një nga drejtuesit e grupit të njohur si Kompania Bello, që merrej me trafik ndërkombëtar të kokainës.
Tv Klan