Policia Kufitare në Qafë Botë, në bashkëpunim me FRONTEX, vunë në pranga një 31-vjeçar të huaj që po shoqëronte një grup emigrantësh, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.
‘Gjatë kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në zonën e Kataetos, u konstatua një shtetas i huaj që po shoqëronte një grup prej 7 emigrantësh të paligjshëm, me qëllim kalimin e tyre të paligjshëm në territorin grek.
Në vijim të veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë”, i shtetasit F. K., 31 vjeç, banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga hetimet paraprake rezultoi se ky shtetas kishte ndërmarrë shoqërimin e personave të mësipërm drejt kufirit, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e tyre të paligjshëm në Greqi’, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.