Forcimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe afatgjatë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane u konfirmua me nisjen zyrtare të projektit SCOPE III, një nismë strategjike që synon modernizimin e mëtejshëm të kapaciteteve policore dhe forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Shefit të Departamentit të Luftës kundër Kriminalitetit në Policinë Federale Gjermane, Mathias Schaef, njëherazi edhe drejtues i projektit, u theksua se partneriteti me Policinë Federale Gjermane është kthyer në një nga shtyllat më të qëndrueshme dhe të besueshme të reformimit të sigurisë në Shqipëri.
Gjatë takimit, Proda u shpreh:
”Në drejtimin e Schaef, projektet SCOPE I dhe II kanë sjellë rezultate konkrete dhe ndikim të drejtpërdrejtë në profesionalizimin dhe transformimin e strukturave tona. Nisja e fazës së tretë është konfirmim i një besimi të ndërsjellë dhe i një partneriteti strategjik që i kalon kufijtë teknikë”.
Në kuadrin e projektit SCOPE III përfshihen nisma konkrete si: dixhitalizimi i trajnimeve, zbatimi i inteligjencës artificiale, ngritja e strukturave rajonale shkencore, shkëmbimi i hetuesve, forcimi i sigurisë kibernetike dhe përfshirja në role udhëheqëse në kuadër të platformës EMPACT.
Ky projekt, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe menaxhimin e Policisë Federale Gjermane, konfirmon rolin gjithnjë e më aktiv të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë rajonale dhe ndërtimin e standardeve europiane të zbatimit të ligjit.