Ndërpritet seanca edhe në përpjekjen e 21-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ndërprerja ndodhi pasi nuk kishte kuorum për vendimmarrje për formimin e komisionit për votimin e fshehtë. Seanca e radhës do të mbahet më 27 maj.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetje nga partitë tjera.
Këto të fundit i kanë kërkuar Vetëvendosjes që të ndryshojë kandidatin dhe të propozojë një emër më të pranueshëm për të gjithë.
Pas seancës së fundit, përfaqësues të partive politike konfirmuan qëndrimet e tyre të pandryshuara. Deputetja nga Vetëvendosje, Donika Gërvalla, akuzoi partitë opozitare për bllokadën në Kuvend, duke thënë se qytetarët nuk meritojnë që të pengohet puna dhe i bëri thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për të çuar përpara procesin.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj Albin Kurti, duke thënë se vendi është peng i qëndrimeve të tyre të forta. Ajo shtoi se PDK-ja është e gatshme të ofrojë alternativa për të zgjidhur situatën.