Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Presidenten e Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, të cilën e uroi për rizgjedhjen e saj.
Begaj ritheksoi se Shqipëria është në mbështetje të popullit të Moldavisë, i cili vazhdon të luftojë për demokraci, begati dhe të ardhmen e tij në Evropë në këto kohë sfidash që vijnë nga agresioni Rus ndaj Ukrainës.
Gjithashtu, kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke theksuar nevojën për intensifikimin e dialogut politik përmes shkëmbimeve të vizitave në nivel të lartë.
Po ashtu, Begaj shprehu gjithashtu interesin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me fokus zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, turizmit dhe në fushën kulturore.
“Kënaqësi të mirëprisja Presidenten e Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, me të cilën shprehëm vullnetin e dy popujve tanë për të mbështetur vlerat demokratike, begatinë dhe fokusin drejt Evropës, si dhe për të parë mundësi të reja për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve”, shkroi Begaj në një postim në “X”.