Para nisjes së konferencës për shtyp të Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, janë firmosur dy marrëveshje nga delegacionet e dy qeverive.
Marrëveshja e parë u nënshkrua nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott, e cila ka të bëjë me deklaratën e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta.
Ndërsa e dyta u firmos nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Robert John Abbott, e cila bënte fjalë për deklaratën e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial.
“Nënshkruajmë:
Deklaratën e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta.
Deklaratën e Qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial”, shkruan Hasani.
Nënshkrimi u bë në kuadër të vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili vizitoi sot vendin tonë për herë të parë.