Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe është shprehur se zvarritja e procesit të numërimit dhe ndikimet politike mbi numëruesit janë të dëmshme për vetë ata persona.
Në një deklaratë për mediat, Çepe tha se çdo votë duhet të numërohet me respekt dhe përulësi për çdo votues.
“Tanimë kur janë numëruar mbi 40% e votave rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit është i qartë si driat e diellit të kësaj dite pranvere. Do të jetë e vështirë të gjenden fjalët për të falënderuar të gjithë shqiptarët që përmbushën detyrën e tyre patriotike duke votuar masivisht me një pjesëmarrje domethënëse, brenda dhe jashtë vendit, pavarësisht se kë votuan.
Falenderojmë gjithashtu edhe ato mijëra komisionerë dhe vëzhgues të qendrave të votimit që me korrektesë garantuan një proces votimi të qetë dhe standandarde, pavarësisht disa orvatjeve sporadike, sa artificiale aq edhe qesharake, për të krijuar turbullira të kota.
Tani është koha ta çojmë drejt mbylljes me dinjitet qytetar e me bindje ligjore, këtë ushtrim të bukur demokracie. Zvarritjet e procesit të numërimit janë të pajustifikueshme në sytë e popullit sovran dhe ndikimet politike mbi numëruesit janë të dëmshme për ata vetë.
Çdo votë duhet të numërohet me respekt dhe përulësi për çdo votues. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë komisionerëve e numëruesve që të respektojnë ligjin dhe të vazhdojnë punën për ta përmbyllur me sukses e me standarde sa më të larta procesin deri në shpalljen finale të rezultatit, pa rënë pre e ndikimeve politike dhe pa luajtur me zjarrin e ligjit”, shprehet Çepe.