Vota e diasporës është “molla e sherrit” mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, prej disa minutash i erdhi rrotull Parkut Olimpik ku udhëzonte komisionerët që të ndajnë veçmas votat e ardhura nga Greqia.
Nuk munguan edhe akuzat ndaj Taulant Ballës, të cilin e kishte të pranishëm aty. Socialisti nuk e la pa replikë, teksa i pranishëm Ishte edhe komisioneri Ilirjan Celibashi.
“Thasët që ka mbushur Taulanti të dalin më vete, të numërohet vota e diasporës. Kjo është porosia. Thasët që i ka mbushur në Greqi atje ndaji. I numëron ti”, tha Noka duke iu drejtuar Celibashit.
“Po mirë a ka fakte që ta dimë”, pyeti Balla nga stolat e Parkut Olimpik ku po qëndronte.
Ndërkohë në një komunikim me gazetarët, Noka, duke folur me një gjuhë joetike ndaj gazetarëve, tha se çfarë kërkon PD-ja.
“Të ndahen veç me votat e diasporës. Porosia jonë është e plotë. Konform ligjit të numërohet çdo votë e çdo qytetari si në Shqipëri dhe në diasporë. Çdo votë do numërohet. Informacionet tona janë të bollshme për thasët e Taulantit”, tha Noka.
Por për çfarë “përplasen” PD-ja dhe PS-ja?
PD-ja, edhe në komunikime publike gjatë javës së kaluar ka kërkuar që të veçohen rreth votat nga Greqia. Sipas tyre, ka parregullsi dhe anomali në votat nga shteti grek.
“Është një kërkesë e thjeshtë, e arsyeshme”, tha më herët përfaqësuesi i PD pranë KQZ-së, Marash Logu.
Nga ana tjetër, drejtuesi politik i PS-së për diasporën, Taulant Balla e ka konsideruar të paligjshme këtë kërkesë.
“Kërkesa bazohet në Kod Zgjedhor, kërkesa shoqërohet me prova dhe është në një fazë tjetër të procesit. Numëruesi nëse nuk numëron fletët e votimit bazuar në nenin 330/a kryen një vepër penale për të cilën dënohen nga 6 muaj deri në 3 vjet burg. Tani këta ia kanë marrë dorën për t’i çuar njerëzit e vet në burg, por unë nuk besoj që numëruesve u ka ikur mendja të dëgjojnë këta. Besoj se nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di se këta nuk kanë hall numërimi, këta kanë hall alibinë e humbjes”, tha Balla.