Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi, duke ndjekur kështu rekomandimin e FMN-së për të administruar rrezikun e lidhur me kredinë për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa edhe pse do vështirësohet blerja e shtëpisë, kjo ishte një masë e domosdoshme.
“Mendoj që janë rregulla, të cilat vijnë në linjë me shkallën e riskut që ka niveli jonë financiar dhe me domosdoshmërinë dhe nevojën që ka shoqëria për të garantuar stabilitetin e sistemit financiar. Për banesën e parë, mendoj që, sigurisht që ka efekte negative, por siç thash, në kushtet kur vlera e tregut të pasurive të paluajtshme ka dyshime serioze që është shumë e mbivlerësuar, mendoj që prioritet mbetet stabiliteti i sistemit financiar”, tha Selami Xhepa, ekspert ekonomie.
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën lekë do jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
“Arsyeja është që shkalla e ekspozimit ndaj një kredie në valutë të huaj është e ekspozuar dhe ndaj një risku shtesë, që është kursi i këmbimit. Kështu që, është normale që duhet faktorizuar një risk më shumë se sa monedha vendase”, tha Selami Xhepa, ekspert ekonomie.
Po ashtu masa kufizuese janë vendosur edhe në lidhje me raportin e kësteve mujore me të ardhuat e huamarrësve të cilat variojnë nga 30% në 40%.
“Pagimi i këstit të kredisë në raport me të ardhurat që ka individi, gjithashtu nuk mundet që kësti të zërë më shumë se 30-40% të vlerës së të ardhurave. Këto janë masa, të cilat synojnë që të bëjnë që sistemi bankar të jetë më i mbrojtur ndaj rreziqeve të ekspozimit që ato kanë në kredinë për tregun e pasurive të paluajtshme”, tha Selami Xhepa, ekspert ekonomie.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për vitin e kaluar, tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekor historik prej 54.9 miliardë lekë, duke u rritur me 13% krahasuar me vitin 2023. Klan News