Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër për kërkesë për informacion DHL-së, kompanisë postare të shpërndarjes së fletëve të votimit të diasporës.
Në shkresë bëhet me dije se Celibashi ka kërkuar që t’i dërgohet në mënyrë urgjente një raport në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi.
Përmbajtja e letrës:
I nderuar z. Koçollari,
Në vijim të procesit të votimit nga jashtë vendit, në vlerësim të shqetësimeve të subjektit zgjedhor Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:
- Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?
- A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marreveshja?
- Sa është numri i zgjedhesve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?
- Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?
- Sa është numri i zgjedhesve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?
- Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?
- A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorezimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?
- Sa është numri i zgjedhesve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste.
- Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritëse të operatorit të sherbimit postar? Cili është domumentacioni provues për këtë rast?
Për shkak të rëndësisë dhe urgjencës së këtij procesi, kërkojmë që informacioni i mësipërm të na vihet në dispozicion brenda një afati sa më të shkurtër.