Kryeministri Edi Rama dha nga Vlora një lajm të mirë për aeroportin e Kukësit.
“Air Kosova” është kompania që do merret me sigurimin e avionëve dhe të gjitha proceset e nevojshme që pas një rrugëtimi të vështirë, mbi Kukës të nisin fluturimet.
Sipas Ramës, Kukësi nuk është një aeroport i thjeshtë ka pasur sfidë më vete sigurimin e operatorëve dhe ka problematikë me korridorin e uljes.
“Kam me vete shumë të tjerë, që janë bashkë me mua aty te pasqyra e Facebook-ut tim dhe që nuk më ndahen nga të gjitha rrugët e jetës, në të gjitha vendet dhe me të gjitha llojet e opinioneve. Dua të veçoj njërin prej këtyre opinioneve qysh se ne thamë se do ulim avionin. Opinioni thotë që është një fluturim “fake” që do mbetet si aeroporti i Kukësit. Dua të zbuloj një surprizë për ndjekësit e mi, unë pa ta nuk jetoj dot në këtë detyrë, më ndihmojnë që ta bëj detyrën më mirë dhe me vendosmëri. Unë i dua ata edhe pse nuk më lënë gjë pa thënë. Është e vërtetë, aeroporti i Kukësit ka pasur një sfidë për të siguruar operatorët, nuk është i thjeshtë, ka një problematikë me korridorin e uljes dhe nga ana tjetër për të pasur operatorët, duhet të krijosh besimin e duhur që nuk do jetë një operacion me humbje të paarsyeshme. Operatori që operon aeroportin ka bërë përpjekeje për të lidhur marrëveshje e kontrata, mirëpo nuk e ka gjetur dot në kohë një akullthyes që do dëshmojë se ai aeroport ia vlen. Siç ishte aeroporti i Tiranës, që ishte më i shtrenjti i Europës!
Në Kukës ka nisur puna prej kohës dhe në Janar është regjistruar zyrtarisht kompania. Një kompani e re shqiptare, ju të Kosovës do prekeni në mënyrë të posaçme. Air Kosova, e cila do nisë së shpejti për të mos ndalur më fluturimet e Kukësit. Air Kosova do jetë kompania tjetër shqiptare dhe këta dy avionë do jenë dy avionët e krenarisë tonë të përbashkët! Air Albania që do të ketë bazën e vet këtu në Vlorë dhe Air Kosova që do ketë bazën e vet në Kukës! Për ta konfirmuar kam sjellë edhe certifikatën që mos thonë se është photoshop, kompania po fillon për të siguruar avionët dhe për operacionet në territor. Nuk po jap datë sepse kam mësuar tanimë që këto datat që jap unë fusin brenda syrin e keq. Dhe tani syri i keq plasi se baca zbriti! Do jetë aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht turistik. Për fluturime low-cost”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ndërkohë, këtë të Enjte u bë testimi i avionit të parë në aeroportin e Vlorës.