Më 3 maj 2025 në orën 18:00 dolën përgjigjet e lotarisë amerikane. Për të gjitha ata shqiptarë, të cilët ishin përzgjedhur eksperti Ardit Hida në “Aldo Morning Show” në Tv Klan ndau disa këshilla se çfarë hapa duhet të ndiqen më pas.
Hida tha se pas marrjes së përgjigjes, personi i përzgjedhur duhet që të bëjë një “CV të jetës”. Dokumentet kryesore që duhen janë: pasaporta, diploma e shkollës së mesme e përfunduar me kohë të plotë, vërtetimi i punësimit dhe deklarimi i të gjitha udhëtimeve jashtështetit që janë bërë në 5 vitet e fundit.
Në rastet se personi në fjalë është i martuar apo ka dhe fëmijë, duhet që të bashkëngjitë me të tijat dhe të gjitha dokumentet e pjesëtarëve të tjerë të familjes.
“Pasi një person ka parë se është përzgjedhur si fitues i lotarisë, gjeja e parë që duhet të bëjë është që duhet të mbledhë të gjitha të dhënat e veta dhe të familjes. Nëse është një person i martuar dhe me fëmijë, duhet të mbledhë të gjitha dokumentet që nga pasaportat, diplomat, vërtetimet e punësimit, pak a shumë një CV të jetës. Plus duhet të tregojë dhe udhëtimet që ka bërë në 5 vitet e fundit jashtështetit, sepse janë shumë të rëndësishme. Ambasada Amerikane ka këtë që e ka me vetëdeklarim çdo të dhënë që futet aty, por vërtetimi i deklarimit bëhet ditën e intervistës kur dorëzohet dokumentet fizike. Dokumenti kryesor që ka peshën më të madhe tek lotaria amerikane është diploma e shkollës së mesme. Po pate shkollën e mesme me kohë të plotë dhe po nuk pate probleme me drejtësinë nuk ke asnjë lloj pengese për të marrë vizën, përveçse numrit rendor. Numri rendor është shumë i rëndësishëm, pasi kur përzgjidhesh ke një numër që zgjidhet automatikisht nga sistemi, rastësor, që mund të jetë nga numri një e deri në plus infinit. Nëse ke një numër plus 30 apo 35 mijë, shanset për të marrë vizën janë të pakta.”
Pas mbledhjes së dokumenteve dhe deklarimeve, eksperti u ndal dhe tek intervista në ambasadë. Hida tha se është një fazë shumë e lehtë, nëse të gjitha dokumentet janë të rregullta dhe nuk ka përgënjeshtrime.
Ai u ndal edhe tek martesa pas marrjes së përgjigjes së lotarisë. Eksperti këshilloi që nuk duhet që të gënjehet kurrsesi për vërtetësinë e martesës, sepse në rastet se kjo marrëdhënie është krijuar vetëm për letra, atëherë konsiderohet si një shkelje e emigracionit dhe të dy personat digjen përfundimisht.
“Në fakt në ambasadë intervista është diçka shumë e lehtë, nëse je i rregullt me dokumentet. Po patë kushtet e shkollës edhe të mos kesh probleme me drejtësinë, normalisht duhet të përgatiten të gjitha dokumentet që çohen paraprakisht dy javë para intervistës dhe pastaj pyetjet janë shumë të thjeshta. Nëse je një çift i sapomartuar, pasi je përzgjedhur fitues dhe je martuar në këtë rast ke pyetje shtesë rreth lidhjes. Për të mbrojtur lidhjen tuaj që nuk është martesë për letra, sepse kjo është thyerje e ligjit të emigracionit. Nëse ka raste të tilla të dy digjen automatikisht gjithë jetën pastaj, prandaj nuk duhet që të gënjejnë.”