Po shoqërohet me tensione dhe akuza të forta fushata zgjedhore në qarkun e Lezhës, mes kandidatëve për deputetë. Kështu kandidati i koalicionit “Shqipëria Madhështore”, Gjin Gjoni, ka akuzuar disa zyrtarë lokalë si të përfshirë në blerje votash, duke i denoncuar ata publikisht me emra.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjoni publikoi edhe një video, duke shkruar: “Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do t’ju ndjekim këmbë për këmbë.”
Menjëherë ka reaguar edhe kandidati i PS për deputet, Ermal Paci i cili paraditen e sotme shkoi në Drejtorinë e Policisë së Lezhës për të depozituar një kallëzim penal për shpifje.
Në një deklaratë për mediat, Paci u shpreh se persona të armatosur kanë shkuar gjatë natës pranë banesës së babait të një kandidateje për deputete të PS-së në Lezhë, duke ushtruar presion dhe kërcënime.