Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë më si ndërmjetës në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Lajmi është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit, duke sinjalizuar një ndryshim në rolin e Uashingtonit në konfliktin e vazhdueshëm.
Tammy Bruce, zëdhënëse e departamentit, tha se SHBA po ndryshon “metodologjinë e mënyrës se si kontribuojnë” në bisedime dhe nuk do të “fluturojnë më nëpër botë sa hap e mbyll sytë” për takime. “Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të fluturojmë më nëpër botë si ndërmjetës në takime”, u tha znj. Bruce gazetarëve.
“Tani varet nga të dyja palët, ka ardhur koha kur ato duhet të paraqesin dhe zhvillojnë ide konkrete se si t’i japin fund këtij konflikti. Do të varet nga vetë të dy shtetet”.
Më herët ishte Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti, duke thënë se tani i takon Kievit dhe Moskës të arrijnë një zgjidhje.