Gara sportive “Giro d’Italia” do të mbahet në vendin tonë nga data 9 deri më 11 Maj në Durrës, Tiranë dhe Vlorë.
Në Shqipëri do të mbahen 3 etapat e para të garës sportive. Prezantimi i ekipeve pjesëmarrëse në aktivitet do të bëhet në datën 7 Maj, ora 20:30 në Sheshin “Skënderbej”.
Etapa e parë do të mbahet më 9 Maj në rrugën Durrës-Tiranë. Gara do të nisë nga Porti i Durrësit, për të vijuar më pas drejt Malit të Robit, Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel dhe Tiranë. Në kryeqytet çiklistët do të drejtohen nga Surreli në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Përfundimi i etapës së parë do të jetë rreth orës 17.03 në Sheshin “Nënë Tereza”, shkruan tvklan.
Etapa e dytë do të mbahet më 10 Maj brenda kryeqytetit. Gara do të nisë rreth orës 13.30 nga Sheshi “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, rikthehen në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”.
Përfundimi i etapës së dytë është parashikuar të përfundojë rreth orës 17.15 tek Sheshi “Nënë Tereza”.
Etapa e fundit, do të mbahet më 11 Maj në Vlorë, e cila do të nisë rreth orës 13.15 nga Rruga “Demokracia”. Çiklistët më pas do të vazhdojnë drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë.
Përfundimi i etapës së tretë parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”.
Më herët, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ka njoftuar se do të jenë 180 çiklistë profesionistë e kampionë nga e gjithë bota. Kjo garë do të transmetohet nga 200 televizione ndërkombëtare, gjë që sipas Ramës do shërbejë në promovimin e bukurive dhe vlerave të vendit tonë, çka do të pasojë në tërheqjen e turizmit në Shqipëri.
Ky është edicioni i 108-të i Giro d’Italia, ku do të marrin pjesë 23 skuadra.