Kryeministri Rama, i shoqëruar edhe nga zëvendësja e tij Belinda Balluku ishin të pranishëm në një tryezë të hapur në Fier, ku folën për prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në vend.
Kreu i kabinetit qeveritar u shpreh se ndihet optimist për të ardhmen e këtij sektori, pasi beson se brenda kësaj dekade, Shqipëria do të mund të jetë plotësisht e pavarur nga energjia elektrike.
Kjo, sipas Ramës do të thotë se vendi do të mund të prodhojë në masë të plotë energji elektrike, e madje të eksportojë atë në vendet e tjera, duke mos pasur kështu më nevojën e blerjes së saj.
“Besoj kemi të gjitha arsyet të mendojmë se pavarësia e plotë energjetike e Shqipërisë është afër dhe transformimi i Shqipërisë, nga me hall të madh energjinë, në një vend eksportues të energjisë neto të energjisë elektrike është afër. Janë zhvillime historike që nëse të gjitha shkojnë sipas programit e planeve tona, bazuar në kërkesat që kemi në administrim nga ana e investitorëve e ato që ne kemi planifikuar, brenda kësaj dekade, Shqipëria do jetë energjitikisht e pavarur”, tha Rama.
Rama pohoi se jo vetëm prodhimi energjetik, por dhe transmetimi i saj ka njohur progres të rëndësishëm.