Kreu i KQZ-së Ilirjan Celiabashi në një konferencë për mediat ka folur për procesin e votimit nga diaspora.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi tha se procesi po ecën shumë mirë, por ka problemet e veta.
Ai ka deklaruar se janë 17 mijë fletë votimi të kthyer, teksa shton se mbeten rreth 30 mijë zgjedhës që akoma nuk e kanë marrë fletën e votimit.
“Me rëndësi ngelet që fletët e votimit të mbërrijnë 100% tek votuesit dhe të kthehen mundësisht 100%. Kthimi mbetet në vullnetin e votuesve. Numri i kthimit mendoj unë është relativisht i lartë. Kemi 17 mijë e pak votues nga 245935 që e kanë kthyer fletën e votimit. Po e ndjekim dhe jemi në ndjekje të përmbushjes së detyrimeve të DHL për detyrimin që ata kanë për të shpërndarë të gjithë dokumentacionin zgjedhor. Ngelen rreth 30 mijë zgjedhës që akoma nuk e kanë marrë.
Kemi diçka më pak se dy javë në dispozicion dhe mendoj që është e mundur që të shpërndahen edhe ato fletë votimi që nuk janë shpërndarë deri tani. Tej problematikave sipas gjykimit tim, procesi është duke shkuar relativisht mirë. Nuk kemi probleme të mëdha. Nuk kemi një sistem që po dështon. Kemi një sistem që po funksionon, por ka probleme. Është një sistem komplet funksional. Po bashkëpunojmë me të gjithë aktorët në këtë proces”, shprehet Celibashi.