Pas fitores së zgjedhjeve në Kanada, kryeministri i sapozgjedhur Mark Carney mbajti fjalën e tij në selinë e Partisë Liberale në Ottawa, duke theksuar se uniteti, përulësia dhe vendosmëria sipas tij përbëjnë thelbin e identitetit kanadez.
“Meqenëse Kanadaja është më shumë se një komb, ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një federatë. Nuk jemi gjithmonë të përsosur, por përpiqemi të jemi të mirë,” u shpreh Carney.
Në fjalimin e tij të parë, pas fitores së zgjedhjeve, mes një atmosfere optimizmi dhe përgjegjësie, ai vuri theksin te forca që vjen nga bashkëpunimi dhe uniteti, duke theksuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta mbi dallimet rajonale dhe politike.
“Ne përpiqemi t’i bëjmë gjërat sepse janë të drejta, jo sepse janë të lehta“, përsëriti Carney, një mesazh që u duartrokit fort nga të pranishmit.
Fjalimi i tij erdhi pasi Partia Liberale siguroi një numër të mjaftueshëm vendesh për të formuar një qeveri minoritare, duke e vendosur Carney-n zyrtarisht në rolin e udhëheqësit të ri të vendit, vetëm disa javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau.